07-06-2011
Kur kerkohet ndihme nga Avokati i Popullit?
Nga Avokati i Popullit, mund të kërkojë ndihmë dhe intervenim, çdo qytetar i Republikës së Maqedonisë dhe i huaj (personalisht ose nëpërmjet të të autorizuarit të tij), kur vlerëson se i është cënuar ndonjë e drejtë kushtetuese apo ligjore me akte apo veprime të organeve të administratës shtetërore, si dhe të organeve e të organizatave të cilat kanë autorizime publike.
Mbrojtja e të drejtave nga Avokati i Popullit mund të kërkohet nëse qytetari më parë i është drejtuar organit kompetent apo organizatës (ka dorëzuar kërkesë, lutje, ka kërkuar ndihmë, intervenim apo ndonjë veprim tjetër), pas së cilës ky organ apo organizatë ka sjellë ose jo akte, ka ndërmarrë ose jo veprime përkatëse.
Procedura konsiderohet e hapur nëse Avokatit të Popullit i paraqitet parashtresa (ankesa, pakënaqësia). Ajo paraqitet personalisht në zyrën e Avokatit të Popullit, me postë, gojarisht në procesverbalin e Avokatit të Popullit, me telefaks ose me postë elektronike.
Avokati i Popullit mund të inicojë procedurë edhe me vetë inisativë, por për vazhdimin e saj duhet pëlqimi i qytetarit, të cilit i është cënuar e drejta kushtetuese ose ligjore.
Avokati i Popullit intervenon kur
- të drejtat e qytetarëve shkilen me akte apo veprime të organeve të administratës shtetërore, si dhe të organeve dhe të oganizatave që kanë autorizime publike;
- personat përgjegjës apo personat e tjerë zyrtarë, të cilët me kërkesë të qytetarëve kanë sjellë akte administrative (vendime, përfundime, vërtetime, çertifikata, mendime etj.), me të cilat gabimisht kanë vlerësuar gjendjen faktike, gabimisht kanë zbatuar materialin ligjor, kanë shkelur procedurën administrative apo ndonjë procedurë tjetër;
- kanë kryer veprime, me të cilët janë sjellë me subjektivizëm në mënyrë burokratike, të pahijshme dhe johumane ndaj qytetarëve;
- nuk kanë vepruar sipas kërkesës, apo kanë sjellë vendime pozitive pa mbështetje ligjore;
- zvaritet procedura e kërkesës;
- nuk përfshihet në procedurë pala e interesuar;
- kënaqen me palën duke e përcjellë nga njëri sportel në sportelin tjetër ose nga njëri organ te organi tjetër për procedurë dhe grumbullimin e dëshmive, të cilat organi zyrtarisht mund t’i sigurojë;
- nuk i zbatojnë aktet administrative ekzekutuese dhe të përfunduara dhe nuk veprojnë sipas udhëzimeve të organeve administrative dhe gjyqësore të shkallës së dytë.