03-12-2019
Shkup
SHËNOHET DITA NDËRKOMBËTARE E PERSONAVE ME PENGESA
Me prezantimin e situatës lidhur me realizimin e të drejtës për arsimim të fëmijëve me pengesa në shkollat fillore në rajonin e Shkupit, që është pjesë e Raportit të veçantë për realizimin e të drejtës për arsimim të fëmijëve me nevoja të veçanta arsimore (NVA), dhe promovimin e mekanizmit për monitorimin e implementimit të Konventës së Kombeve të Bashkuara për të drejtat e personave me pengesa, Avokati i popullit, me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Shkup, shënoi 3 dhjetorin, Ditën ndërkombëtare të personave me nevoja të veçanta.
"Nga viti 2009, në kuadër të Avokatit të popullit mbrojtja e të drejtave të këtyre qytetarëve realizohet përmes Seksionit për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe personave me pengesa, ndërsa nga muaji korrik i këtij viti kemi edhe ekip të posaçëm të këshilltarëve të cilët do ta monitorojnë imlementimin e Konventës për të drejtat e personave me pengesa dhe Protokollit Fakultativ. Ky ekip përbëhet nga dy juristë, një edukatorë special dhe rehabilitator, të cilët bashkë me personat me pengesa, përfaqësuesit e tyre dhe organizatat qytetare të cilat punojnë në këtë fushë do të bëjnë analiza, hulumtime dhe monitorim të rregullave dhe të drejtave komparative në lidhje me të drejtat e përcaktuara me Konventën.
Gjithashtu, Ky ekip do të monitorojë rregullativën ndërkombëtare dhe do të angazhohet për harmonizimin e ligjeve nacionale dhe akteve të tjera. Do të stimulojë ratifikimin e dokumenteve ndërkombëtare për personat me pengesa, do të bëjë monitorimin e procesit dhe inicimin e procedurave për miratimin dhe ndryshimin e akteve ligjore dhe nënligjore, në përputhje me parimet e Konventës. Njëherësh, do t’i ndjek edhe politikat relevante publike lidhur me të drejtat e personave me pengesa dhe do të hartojë raporte me rekomandime adekuate për organet kompetente.
Sidomos, dua ta potencoj kompetencën e ekipit për ndërmarrjen e masave dhe aktiviteteve për promovimin dhe ngritjen e vetëdijes për të drejtat e personave me pengesa, e që është me rëndësi të veçantë në luftën për tejkalimin e stereotipeve dhe paragjykimeve ndaj këtyre personave".
Këtë, ndër të tjera, e tha avokati i popullit, z.Ixhet Memeti në
fjalimin e tij përshëndetës në promovimin në të cilin morën pjesë ambasadori, z. Klemens Koja – shef i Misionit të OSBE-së në Shkup dhe znj. Rosana Duxhiak – koordinator i përhershëm i Kombeve të Bashkuara në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Në kuadër të prezantimit të situatës me realizimin e të drejtës për arsimim të fëmijëve me nevoja të veçanta arsimore (NVA), me theks në shkollat fillore të rajonit të Shkupit, zëvendës-avokati i popullit, znj. Vaska Bajramovska Mustafa, tha që hulumtimi tregoi se në vend ka ligj të ri, ndërkaq rregulla të vjetra, dhe që, megjithëse në fillim të këtij viti shkollor proklamohej inkluzioni, në realitet shkollat janë pa ekipe plotësisht inkluzive dhe pa ekipe inkluzive për çdo nxënës me pengesa.
"Kemi shkolla në të cilat nuk janë siguruar burimet e nevojshme materiale-teknike dhe materialet dhe mjetet arsimore dhe didaktike, shkolla pa edukatorë special të punësuar dhe rehabilitatorë, dhe pa mbështetjen e edukatorëve special komunal dhe rehabilituesve, shkolla pa asistentë të siguruar arsimor dhe personal (të cilët angazhohen përmes projektit), kuadro arsimore me kompetenca të pazhvilluara profesionale për punë me fëmijë me pengesa", theksoi Bajramovska Mustafa.