14-11-2013
Shkup
QËNDRIMI I AVOKATIT TË POPULLIT PËR DITËN E TOLERANCËS
Të nderuar qytetarë,
E gjithë popullsia e planetit Tokë, për çdo vit, më 16 Nëntor e shënon Ditën Ndërkombëtare të Tolerancës. Kjo ditë është një mundësi e mirë që të përkujtohemi se sa, gjatë periudhës së kaluar, kemi qenë tolerantë ndaj familjes, miqve, kolegëve, me një fjalë sa i kemi respektuar, edhe pse kanë pasur qëndrime të ndryshme nga ato tonat.
Toleranca mësohet me qëllim që ajo të na bëhet praktikë. Të mësuarit se të gjithë jemi të ndryshëm, por se të gjithë i kemi të drejtat e njëjta, është motoja themelore të cilës duhet t’i përmbahet gjithsecili, veçanërisht në shoqëritë multikulturore siç është e jona.
Dita Ndërkombëtare e Tolerancës është mundësi kur duhet të flitet edhe për efektet negative të mos-tolerancës. Mosrespektimi i diversiteteve askujt nuk i sjellë të mira, përkundrazi është shkak i shumë luftërave, vuajtjeve, ndarjeve të cilat lënë pasoja të thella mbi jetën e të gjithë neve.
Toleranca është përfitim demokratik i çdo shoqërie. Sa më shumë tolerancë aq më pak ndarje, ndërsa sa më pak ndarje aq më shumë prosperitet. Pikërisht për këtë, e shfrytëzoj këtë rast që tua bëjë me dije të gjithë aktorëve të shoqërisë, pa dallim të moshës, gjinisë, fesë, arsimimit, se respektimi është themeli kryesor pa të cilin nuk ka progres. Nëse këtë e kuptojmë me kohë, jam i sigurt se do ta përmirësojmë kualitetin e jetës.