08-02-2012
Shkup
“MEKANIZMAT PËR MBROJTJE NGA DISKRIMINIMI NË REPUBLIKËN E MAQEDONISË”
“Mekanizmat për mbrojtje nga diskriminimi në Republikën e Maqedonisë” ishte tema e Tryezës së rrumbullakët, e cila u realizua në kuadër të Projektit “Tuning” për mbështetjen e Ombudsmanit të Maqedonisë, Projekt ky i financuar nga fondet para-aderuese të Bashkimit Evropian (IPA), në të cilin partnerë janë Ombudsmani Nacional i Suedisë dhe Mbrojtësi i të Drejtave i Francës. Tryeza e rrumbullakët u mbajt në Info Qendrën e BE-së në Shkup.
“Me rëndësi të jashtëzakonshme është fakti se diskutojmë për bazën e diskriminimit, për çka më së shpeshti ankohen qytetarët, por edhe për shkaqet e mosidentifikimit të formave të ndryshme të diskriminimit në shoqërinë tonë, me ç’rast shumë shpesh qytetarët as që janë të vetëdijshëm se kanë qenë të diskriminuar.” – theksoi mes tjerash, në fjalën e tij përshëndetëse, Avokati i Popullit - z. Ixhet Memeti.
Sipas Zëvendës Avokatit të Popullit, Mr. Dragi Celevski, diskriminimi është i pranishëm në të gjitha sferat e shoqërisë dhe sidomos mbi bazë të përkatësisë etnike dhe besimit politik.
“Për këtë shkak, përveç ndërmarrjes në vazhdimësi të veprimeve për identifikimin dhe sanksionimin e diskriminimit nevojitet edhe ndërmarrja e aktiviteteve parandaluese. Në këtë kontekst, veçanërisht është me rëndësi zbatimi i fushatave informative-edukative për forcimin e vetëdijes në drejtim të realizimit me konsekuencë të parimit të barazisë së të gjithë qytetarëve.” – tha Celevski.
Përvojat, nga puna në fushën e mbrojtjes nga diskriminimi i Mbrojtësit të të Drejtave të Francës, i shpalosi Nefeli Jatropulos, përfaqësuese e këtij Institucioni. Ajo, mes tjerash, informoi se një nga qëllimet gjatë punës së këtij Institucioni është zhvillimi i vazhdueshëm i instrumenteve të reja për komunikim dhe trajnimin e qytetarëve në mënyrë që të zhvillohet koshienca e tyre, të njihen me të drejtat e tyre dhe të drejtohen gjithmonë në rastet kur diskriminohen.
Kryetari i Komisionit për Mbrojtje nga Diskriminimi, z. Dushko Minovski deklaroi se në këtë Komision kanë mbërritur gjithsej 61 parashtresa dhe se në të shumtën e rasteve ato kanë të bëjnë me fushën e marrëdhënieve të punës. Sipas tij, në të gjitha rastet, përveç njërit për të cilin vazhdon procedura për të cilat Komisioni ka dhënë rekomandime, organet kanë vepruar sipas të njëjtave.
Në tryezën e rrumbullakët morën pjesë edhe përfaqësues të shoqërive qytetare.