26-06-2015
26.06.2015, Shkup
PUNËTORIA ME TEMË: “MIGRANTËT ILEGALË DHE AZILKËRKUESIT-GJENDJA DHE SFIDAT”
“Migrantët ilegalë dhe azilkërkuesit-gjendja dhe sfidat” ishte tema e Punëtorisë e cila iu përkushtua 26 Qershorit – Ditës së Viktimave të Torturës që u mbajt në Info-Qendrën e BE-së në Shkup. Në Punëtori mori pjesë Avokati i Popullit - Mekanizëm Parandalues Nacional, Bordi i Ombudsmanit të Austrisë Ludvig Bocman – Instituti për të Drejtat e Njeriut, si dhe përfaqësues nga Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, nga UNHCR dhe organizatat joqeveritare.
Në raportet vjetore të Mekanizmit Parandalues Nacional të vitit 2013 dhe 2014 u potencuan dobësitë dhe u dhanë rekomandime për trajtimin dhe mbrojtjen e personave me hyrje ilegale në shtet, si dhe për azilkërkuesit. Në këtë Punëtori dëshirojmë ta theksojmë rëndësinë e trajtimit human të këtyre personave, por njëkohësisht edhe ta shënojmë Ditën Ndërkombëtare për Mbështetjen e Viktimave të Torturës dhe të tregojmë se edhe këta persona kanë nevojë për kushte adekuate të vendosjes, si dhe për trajtim human” – tha në hapjen e punëtorisë Avokati i Popullit, z. Ixhet Memeti.
Për “Gjendjen dhe sfidat me migrantët ilegalë dhe azilkërkuesit në Republikën e Maqedonisë” diskutoi znj. Anica Tomshiq Stojkovska, përfaqësuese e Avokatit të Popullit – Mekanizëm Parandalues Nacional, ndërsa për “Situatën me migrantët ilegalë dhe azilkërkuesit nga aspekti i luftës kundër torturës dhe keqtrajtimit” folën z. Moric Brik dhe znj. Tifani Kritin nga Ludvig Bocman – Instituti për të Drejtat e Njeriut. Përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale folën në temën: “Roli i aktiviteteve të cilat i ndërmarrin institucionet shtetërore për identifikimin, mbrojtjen, përkujdesjen dhe respektimin e të drejtave të migantëve ilegalë”.
Punëtoria u organizua në kuadër të Projektit Tuining, të titulluar: “Promovimi i kompetencave të Avokatit të Popullit dhe fuqizimi i kapaciteteve institucionale”, të cilin Avokati i Popullit e zbaton në bashkëpunim me Zyrën e Bordit të Ombudsmanit të Austrisë Ludvig Bocman – Instituti për të Drejtat e Njeriut.