Aktivitetet
24-02-2021
Shkup
TAKIM I AVOKATIT TË POPULLIT ME PËRFAQËSUES TË SEKTORIT JOQEVERITAR
„Bashkëpunimi me sektorin joqeveritar/organizatat civile është i një rëndësie të jashtëzakonshme për institucionin e Avokatit të popullit në të gjitha segmentet, veçanërisht në pjesën e funksionimit të Mekanizmit të kontrollit civil, të parashikuar me Ligjin për avokatin e popullit“.
Ky është konkluzioni i përbashkët nga takimi i avokatit të popullit z.Naser Ziberi, me përfaqësuesit e shoqatave në fushën e të drejtave të njeriut, të drejtës policore dhe gjyqësorit – Komiteti i Helsinkit, Shoqata e juristëve të rinj dhe Shoqata e të drejtës penale dhe kriminologjisë së Maqedonisë, të cilët vitin e kaluar u zgjodhën nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut, që të marrin pjesë në përbërjen e këtij mekanizmi.
Në takim u shkëmbyen mendime për mënyrën e funksionimit praktik të mekanizmit, për të cilin të dy palët, ranë dakord që sa më shpejtë që të jetë e mundur, të japin sugjerimet dhe mendimet e tyre në drejtim të tejkalimit të problemeve të caktuara teknike, të cilat në periudhën e kaluar kohore parandaluan atë të fillonte me punë praktike.